Secondary Adv

Pas dështimit të procedurave për stadiumin e ri Skënderbeu, Bashkia Korçë hap tender për rehabilitim

Bashkia Korçë ka hapur tashmë një tender për rehabilitimin e ambienteve të stadiumit ekzistues, me fond limit 2,833,046 lekë pa TVSH.

Ndërsa pritet rihapja e thirrjes për ndërtimin e stadiumit të ri “Skënderbeu” nga Korporata Shqiptare e Investimeve, pas dështimit të procedurave, Bashkia Korçë ka hapur tashmë një tender për rehabilitimin e ambienteve të stadiumit ekzistues, me fond limit 2,833,046 lekë pa TVSH.


Procedura është hapur ditën e sotme dhe financohet nga të ardhurat e vetë Bashkisë Korçë. Afati i punimeve është një muaj nga lidhja e kontratës, ndërsa ofertat do të pranohen deri më 31 gusht.


Ndërhyrja është dukshëm më modeste se transformimi që ishte parashikuar për “Skënderbeun”. Preventivi përfshin punime mirëmbajtjeje dhe rikonstruksioni, si lyerje, zëvendësim dyersh, hidroizolim, ndërhyrje në çati e ulluqe, mure gipsi, suvatime dhe shtresa, si edhe instalime hidrosanitare, ngrohjeje dhe elektrike. Parashikohet gjithashtu vendosja e stolave me mbështetëse për stadiumin.


Dokumentet e tenderit tregojnë se nga fondi i parashikuar, rreth 1.77 milionë lekë lidhen me rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e ambienteve, rreth 758 mijë lekë me instalimet teknologjike dhe termike dhe rreth 233 mijë lekë me instalimet hidrosanitare.


Tenderi është në fakt një rishpallje. Bashkia shënon se procedura me të njëjtin objekt dhe të njëjtin fond limit, me referencë të datës 19 gusht, ishte anuluar dhe është rihapur disa ditë më vonë. Dokumenti i shkurtuar i kontratës nuk jep arsyen e anulimit të procedurës së parë.


Nga projekti ndërkombëtar te riparimi i stadiumit ekzistues


Kontrasti është i fortë me atë që ishte planifikuar për Korçën. Në janar 2023, qeveria ngarkoi Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për organizimin e konkurseve të projektimit për tre komplekset sportive: “Niko Dovana” në Durrës, “Skënderbeu” në Korçë dhe “Flamurtari” në Vlorë.


Për Korçën u përzgjodh studioja daneze CEBRA, me një projekt që e konceptonte stadiumin si pjesë të një kompleksi më të gjerë sportiv dhe urban. Të tre projektet u menduan sipas një modeli ku zhvillimi i pronës dhe hapësirave komerciale përreth duhej të krijonte interesin ekonomik për një partner privat që do të financonte edhe infrastrukturën sportive.


Në korrik 2025, Korporata e Investimeve Shqiptare hapi procedurat për gjetjen e partnerëve privatë. Afati i ofertave përfundoi më 30 shtator 2025, por gara nuk prodhoi rezultat: për stadiumet e Korçës, Durrësit dhe Vlorës nuk u paraqit asnjë aplikant. Procedurat u shpallën zyrtarisht të anuluara disa muaj më vonë, në mars 2026.


Kështu, projektet arkitekturore që synonin të ndryshonin jo vetëm stadiumet, por edhe zonat urbane përreth tyre, mbetën në fazën e renderave dhe maketeve. Për Korçën, pesë muaj pas konfirmimit të dështimit të procedurës për investitorin privat, ndërhyrja konkrete që del në prokurim është një kontratë prej më pak se 3 milionë lekësh për të mbajtur funksional dhe për të rehabilituar stadiumin ekzistues. /ekofin.al


Më të lexuarat